Melanoma është një nga format më serioze të kancerit të lëkurës që nis në qelizat e quajtura melanocite, të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e pigmentit që i jep ngjyrë lëkurës sonë, të quajtur melaninë.  Mund të zhvillohet në pjesë të ndryshme të trupit dhe zbulimi i hershëm është thelbësor për trajtim të suksesshëm.


Ku shfaqet më shpesh melanoma?

Melanoma zakonisht fillon në zonat e lëkurës që ekspozohen më shpesh ndaj diellit, si fytyra, krahët, shpatullat dhe këmbët. Megjithatë, ajo nuk kufizohet vetëm në këto zona. Ajo mund të shfaqet edhe në pjesë më pak të ekspozuara si shputat e këmbëve, pëllëmbët e duarve apo edhe poshtë thonjve.

Në raste më të rralla, melanoma mund të zhvillohet edhe brenda trupit, përfshirë hundën, fytin ose zona të tjera të mukozave. Gjithashtu, ajo mund të shfaqet edhe në sy, duke ndikuar në shikim dhe duke u zbuluar shpesh gjatë kontrolleve mjekësore rutinë.


Shkaqet dhe roli i rrezatimit UV

Shkaku i saktë i të gjitha melanomave nuk është plotësisht i qartë, por shumica e rasteve lidhen drejtpërdrejt me ekspozimin ndaj rrezeve ultraviolet (UV). Këto rreze vijnë si nga dielli, ashtu edhe nga pajisjet për nxirje artificiale si solaret.

Ekspozimi i tepërt dhe i përsëritur ndaj UV dëmton qelizat e lëkurës me kalimin e kohës, duke rritur rrezikun për ndryshime anormale që mund të zhvillohen në melanoma. Për këtë arsye, mbrojtja nga dielli është një hap shumë i rëndësishëm në parandalim.


Shenjat e hershme të melanomës

Një nga mënyrat më të mira për ta zbuluar melanomën herët është vëzhgimi i ndryshimeve në lëkurë. Ajo mund të fillojë si një ndryshim në një nishan ekzistues ose si një formim i ri i pazakontë.

Shenjat kryesore përfshijnë ndryshime në formë, ngjyrë ose madhësi të nishanit. Shfaqjen e simptomave të reja si kruarje, dhimbje apo edhe gjakosje. Nishanet që bëhen të pabarabartë, me ngjyra të ndryshme ose me kufij të çrregullt kërkojnë vëmendje të veçantë.


Nishanet normale vs ndryshimet shqetësuese

Nishanet normale zakonisht kanë ngjyrë të njëtrajtshme, formë të rregullt dhe madhësi të vogël, zakonisht më pak se 6 mm. Ato mund të jenë kafe, rozë ose të errëta dhe shpesh mbeten të qëndrueshme për një kohë të gjatë.

Ndërkohë, nishanet që mund të jenë të rrezikshme shpesh shfaqin asimetri, ngjyra të ndryshme brenda të njëjtit nishan, kufij të çrregullt ose ndryshime në madhësi dhe ndjesi. Këto ndryshime nuk duhen injoruar dhe kërkojnë vlerësim mjekësor.


Melanoma “e fshehur” – forma që nuk duhen neglizhuar

Jo të gjitha melanomat shfaqen në zona të dukshme të lëkurës. Disa mund të zhvillohen në vende më të vështira për t’u vënë re. Psh: midis gishtave të këmbëve, në shputat e këmbëve, në skalp apo në zonën e thonjve.

Në disa raste, melanoma mund të shfaqet edhe në mukozat e trupit, si goja, hunda apo organet gjenitale, duke u ngatërruar me gjendje të tjera të zakonshme. Ekziston edhe melanoma okulare që prek syrin dhe mund të zbulohet gjatë kontrollit oftalmologjik.


Kur duhet të drejtoheni te mjeku?

Nëse vëreni ndonjë ndryshim të pazakontë në lëkurë, si një nishan që ndryshon formë, ngjyrë ose fillon të shkaktojë simptoma të reja, është e rëndësishme të konsultoheni me një mjek specialist. Zbulimi i hershëm i melanomës rrit ndjeshëm mundësinë e trajtimit  dhe parandalon përhapjen e saj.

Jepni komentin tuaj

Your email address will not be published.

LART