Çfarë janë aknet?

Ka një arsye që aknet në gjuhën mjekësore quhen acne communis – sepse pothuajse të gjithë ne kemi një “shpërthim” aknesh në një pikë të jetës tonë.

Çdo gjë fillon me bllokimin e poreve nga yndyra e sekretuar nga gjëndrrat e yndyrës. Nëse poret janë të mëdha bllokimet marrin formën e pikave të zeza: të vogla dhe të sheshta. Nëse poret janë të vogla bllokimet marrin formën e të ngriturave me ngjyrën e lëkurës.
Të dy tipet e bllokimit të poreve mund të japin enjtje dhe inflamacion që shprehen në formën e të ngriturave dhe puçrrave.

Edhe pse aknet konsiderohen si një “mallkim” për adoleshentët, rreth 20% e rasteve ndeshen tek të rriturit. Aknet zakonisht fillojnë gjatë pubertetit rreth moshës 10-13 vjeç dhe kanë tendencë të shfaqen në forma më të rënduara tek individët me lëkurë të yndyrshme.
Aknet e adoleshencës zakonisht zgjasin për 5-10 vjet, deri në fillim të të njëzetave.
Ndeshen dhe tek meshkujt dhe tek femrat por meshkujt kanë tendencë të zhvillojnë forma më të rënda, ndërsa femrat kanë tendencë të zhvillojnë forma të lehta dhe mesatare deri në të 30-tat dhe më tej.

Aknet janë më të zakonshme në fytyrë por ato mund të shfaqen dhe në qafë, gjoks, shpinë, shpatulla dhe në pjesën e sipërme të krahëve.

Nga çfarë shkaktohen aknet?

Shkaqet e formimit të akneve nuk janë kuptuar akoma plotësisht. Stresi është një nga faktorët që i përkeqëson aknet por nuk i shkaktojnë ato.

Hormonet. Zakonisht aknet tek adoleshentët fillojnë nga rritja e prodhimit të hormoneve. Gjatë pubertetit dhe djemtë dhe vajzat prodhojnë nivele të larta të hormoneve androgjenike ku përfshihet dhe testosteroni. Testosteroni sinjalizon trupin të prodhojë më shumë sebum (lënda vajore që prodhohet nga gjëndrat e yndyrës të lëkurës).

Bakteret. Prodhimi i shtuar i sebumit bllokon folikulat e qimeve – sidomos ato në fytyrë, qafë, gjoks dhe shpinë. Bakteret zhvillohen në këto folikula të bllokuara. Ndonjëherë muret e folikulave çahen nën presionin e sebumit të grumbulluar duke sjellë inflamacion (duke formuar ato që quhen akne inflamatore).

Tek femrat që përdorin kontraceptivë oralë, në varësi të llojit vihet re nxitja apo frenimi i akneve. Steroidet e përdorura nga disa bodybuilder apo atletë mund të sjellin zhvillim të akneve.

Njerëzit që i “shpëtojnë” viteve të adoleshencës pothuajse pa akne mund të zhvillojnë akne rezistente me kalimin e viteve. Prandaj është shumë e rëndësishme që të tregohet kujdes ndaj lëkurës sidomos tek individët që kanë tendencë për zhvillimin e tyre.

Produkte për luftimin e akneve