Në vitin 2010 një studim doli në përfundimin që dieta ushqimore ka ndikim tek aknet. Pas 27 analizash studimore dhe 6 studimesh klinike shkencëtarët vunë re që përdorimi i qumështit të lopes rriste mundësinë e shfaqjes dhe shkallën e avancimit të akneve dhe gjithashtu kishte një lidhje midis një diete me nivel të lartë të karbohidrateve dhe rrezikut për akne. Ky është një lajm i rëndësishëm për individët që vuajnë apo kanë tendencë për zhvillimin e akneve.

Lexo më shumë: Çfarë janë aknet dhe pse formohen?

5 ushqime që nxisin aknet

Cilat ushqime nuk duhet ti përdorim?

Studimet deri tani janë përqendruar tek ushqimet që përkeqësojnë aknet. Ja kush janë 5 ushqimet që dyshohen më shumë për rrezikun e përkeqësimit të akneve. Shmangini këto për të paktën një javë dhe shikoni ndryshimin.

  1. Qumështi i lopes: Studimi i vitit 2010 vuri në dukje lidhjen midis përdorimit të qumështit të lopes dhe akneve. Shkencëtarët nuk janë akoma të sigurtë pse ndodh kjo, por ekzistojnë disa teori. Qumështi i lopes sjell rritje të ndjeshme të nivelit të sheqerit në gjak gjë që sjell rritje të inflamacionit (i cili shkakton aknet). Gjithashtu ky qumësht rrit nivelet e insulinës, e cila inkurajon prodhimin e yndyrës në lëkurë (sebumit). Shumë nga qumështi i lopes që ne blejmë vjen nga lopë shtatzëna dhe prandaj përmbajnë më shumë hormone që mund të nxisin prodhimin e sebumit. Qumështi gjithashtu ka disa hormone të rritjes që mund të nxisin mbi-prodhimin e qelizave të lëkurës, duke sjellë bllokimin e poreve. Në vitin 2005, studiuesit zbuluan që njerëzit që përdornin më shumë qumësht në adoleshencë kishin më shumë shfaqje të stadeve të rënda të akneve në krahasim me ato që përdornin pak ose aspask qumësht.
  2. Sheqeri: me siguri shumë prej atyre që vuajnë nga aknet kanë pasur dyshime që sheqeri është i lidhur me problemet me aknet. Studimet e bëra e mbështesin këtë dyshim. Kjo nuk do të thotë që nëse hani një ëmbëlsirë do ju shfaqen akne. I rëndësishëm është sasia e sheqerit që merrni gjatë gjithë ditës. Nëse dyshoni që sheqeri mund të jetë shkaku për ju mundohuni të shmangni për pak ditë produktet që kanë përmbajtje sheqeri (si p.sh.: pijet me sheqer të shtuar) që të shikoni ndryshimin.
  3. Ushqimet me indeks glicemik të lartë: Këtu përfshihen ushqime që shpërbëhen shpejt nga trupi dhe rrisin nivelete e sheqerit dhe insulinës në gjak. Ato nxisin luhatjen e niveleve të hormoneve dhe inflamacionin – të dy faktorë në nxitjen e akneve. Flitet për ushqime si buka e bardhë, drithërat e përpunuara të mëngjesit, orizi i bardhë, patatet e skuqura, biskotat etj. Zgjidhni ushqime me indeks glicemik të ulët si perimet, drithërat, patatet e ëmbla dhe shumica e frutave.
  4. Të ashtuquajturat “junk foods” – ku përfshihen shumë nga produktet që mund të blini në market si patatinat, lëpirëset, pijet e gazuara etj. Për të njejtat arsye (rritje të niveleve hormonale dhe të niveleve të sheqerit) këto ushqime duhen shmangur nëse po përpiqeni të arrini një lëkurë pa akne.
  5. Ushqimet e shpejta – ushqimet e yndyrshme që mund të blini në Fast Food shkaktojnë inflamacion në trup. Studimet kanë lidhur përdorimin e këtyre studimeve dhe me probleme të tjera si astma tek fëmijët vetëm nga aftësia që kanë për nxitjen e inflamacionit për të mos përmendur vajrat që ripërdoren dhe që janë shumë të dëmshëm për trupin e njeriut.

Po çokollatat?

I dyshuar për një kohë të gjatë si një nga shkaktarët e akneve, përdorimi i çokollatës u mor në studim në vitin 2013 në Hollandë. Dhe pse është i nevojshëm një studim më i gjerë rezultatet sugjerojnë që çokollata nxit inflamacionin dhe inkurajon infeksionin bakterial gjë që sjell përkeqësimin e akneve. Një rrugë e mesme është përdorimi i çokollatës të zezë që ka një indeks glicemik më të ulët.

Mund të verifikoni vetë ndaj cilit prej këtyre ushqimeve jeni të ndjeshëm – eleminojini nga dieta juaj dhe shikoni ndryshimin. Parimi bazë është reduktimi i ushqimeve të përpunuara dhe ulja e niveleve të sheqerit që merrni gjatë ditës. Kjo do ndihmojë lëkurën tuaj por jo vetëm!

Produkte për luftimin e akneve